Takimi i 7-të i Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike në Shqipëri u zhvillua më 27 shtator 2017 në Tiranë. Takimi u drejtua bashkërisht nga Znj. Senida Mesi, ZëvendësKryeministre dhe Znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian.

Institucionet shqiptare dhanë një përditësim të zhvillimeve kryesore duke u përqendruar te zbatimi i reformës së shërbimit civil, planifikimi dhe koordinimi i politikave, ofrimi i shërbimeve dhe llogaridhënia, si dhe decentralizimi dhe qeverisja vendore. Gjithashtu paraqitën planin e ristrukturimit ministror dhe riorganizimin e administratës publike me synim rritjen e efektivitetit të ofrimit të shërbimeve.

Komisioni Evropian mirëpriti progresin e mëtejshëm në zbatimin e reformave të Administratës Publike dhe Menaxhimit të Financave Publike, nxiti më tej qeverinë që të ruajë ritmin e mirë të zbatimit të reformave, nënvizoi rëndësinë e garantimit që riorganizimi i parashikuar të kryhet në përputhje me ligjin për shërbimin civil. Gjithashtu Komisioni theksoi nevojën për të përmirësuar mekanizmat për planifikimin e politikave dhe përshtatjen e buxhetimit me planifikimin strategjik.

Reforma e administratës publike është një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike është forumi kryesor i dialogut politik ku institucionet e qeverisë shqiptare, institucionet e pavarura së bashku me Komisionin diskutojnë progresin në zbatimin e reformave të administratës publike, decentralizimit dhe menaxhimit të financave publike.