Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me zëvendëskryeministren organizoi në datat 3 dhe 16 prill dy tryeza të rrumbullakëta diskutimi me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtar, në kuadër të konsultimit publik për hartimin e Planit të Ri të Aktiviteteve të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike për periudhën 2018-2020.

Në takimin me shoqërinë civile, drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, theksoi se kjo strategji do të vazhdojë të shërbejë edhe në vijim si instrument planifikimi dhe monitorimi për krijimin e një administrate të qëndrueshme dhe të aftë për të përballuar sfidat e zhvillimit të vendit dhe prioritetet e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në këtë takim u vlerësua roli i veçantë i shoqërisë civile, si pikë kyçe për zbatimin e reformës në administratën publike.

Duke falenderuar të gjitha institucionet, pjesë e procesit të hartimit të planit të ri të veprimit të SNRAP, znj. Koçiu, u shpreh se procesi ishte interesant dhe sfidues, por me mbështetjen e SIGMA dhe kontributin e gjithë institucioneve u arrit finalizimi i një dokumenti të strukturuar dhe një plan veprim i detajuar mbi mënyrën e përmbushjes së objektivave.

Shoqëria civile diskutoi gjerësisht, duke propozuar aktivitete të ndryshme të cilat mund të gjejnë hapësira bashkëpunimi të frytshme në këtë drejtim.

Ndërkohë në datë 16 prill DAP zhvilloi takimin konsultativ me partnerët ndërkombëtar. Znj. Koçiu ftoi partnerët ndërkombëtar të bëhen pjesë e diskutimit për të përmirësuar arritjet e mëtejshme, pasi mendimet dhe ekspertiza e aktorëve të ndryshëm në kuadër të këtij procesi, ngelet një vlerë e shtuar për cilësinë e këtij plan veprimi që do të orientojë dhe udhëheqë reformën për një administratë publike evropiane.

Zëvendëskryeministrja, znj. Senida Mesi, tha gjatë fjalës së saj se përforcimi i kapaciteteve për të udhëhequr strategjikisht reformën ndërsektoriale të administratës publike, kërkon angazhim serioz ndërinstitucional drejt arritjes dhe përmbushjes së objektivave sa i përket reformës në administratën publike.

E rëndësishme të përmend faktin se ky plan jo vetëm ka marrë në konsideratë rekomandimet kryesore të Raportit të fundit Monitorues të SIGMA, por gjithashtu ka të integruara gjetjet dhe përfundimet e Grupit të Veçantë të PAR të muajit Shtator 2017”- theksoi znj. Mesi.