Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi në datë 11 prill 2018 raportin vjetor të Këshillit të Ministrave për politikat në shërbimin civil dhe zbatimin e tyre për vitin 2017. Komisioni bëri një vlerësim të punës së Departamentit të Administratës Publike sa i takon gjendjes së shërbimit civil për vitin 2017.

Për të raportuar mbi ecurinë e institucionit ishin zëvendëskryeministrja, znj. Senida Mesi dhe drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu.

Duke konsideruar përparësinë e zhvillimit të mëtejshëm të Reformës së Administratës Publike si një prioritet thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Europian, gjatë kësaj dëgjese u diskutua mbi:

Ø  Ecurinë e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike

Ø  Ndryshimet e akteve rregullative në fushën e shërbimit civil duke nxjerrë udhëzime të reja, si dhe duke ndryshuar ato ekzistuese

Ø  Punën e DAP për përmirësimin e procesit të rekrutimit, ç`ka pasqyrohet në rritjen e numrit të kandidatëve që konkurrojnë për një vend pune, krahasuar me vitin e kaluar

Ø  Përmirësimin e procedurave të rekrutimit duke përdorur bankën elektronike të pyetjeve

Ø  Punën në drejtim të rritjes së kapaciteteteve vlerësuese të anëtarëve të Komiteteve të Përhershme të Pranimit, nëpërmjet trajnimit mbi metodologjinë dhe teknikat e sakta të vlerësimit të kandidatëve etj.

Gjatë vitit 2017 është punuar në drejtim të përmirësimit të disa indikatorëve, me vëmendje të veçantë procesin e rekrutimit në shërbimin civil, në të gjitha etapat e tij, duke nisur nga planifikimi i vendeve vakante, grupimi dhe shpallja e tyre, orientimi i publikut lidhur me mënyrën e saktë të aplikimit dhe menaxhimi i procesit të rekrutimit në mënyrë efektive nëpërmjet implementimit të metodave inovative”- tha gjatë raportimit znj. Koçiu.

Në prezantimin e raportit vjetor theksi u vu edhe tek reformimi i shërbimeve publike, si instrument për të luftuar korrupsionin dhe shndërrimin e administratës publike në shërbyese me standard për qytetarët dhe bizneset; përforcimin e integrimit personal dhe profesionalizmin e përgjegjshmërisë së funksionarëve nëpunës publik përgjatë veprimtarisë së tyre, për një administratë publike të qëndrueshme dhe të depolitizuar; zbatim me rigorozitet të legjislacionit në drejtim të përforcimit të sistemit të rekrutimit si një sistem transparent, sikurse edhe një përparim i mëtejshëm në karrierë.

Zëvendëskryeministrja, znj. Senida Mesi u përqëndrua në fjalën e saj, ndër të tjera edhe tek plani i aktiviteteve të strategjisë ndërsektoriale për reformimin e administratës publike 2018-2020.

Plani reflekton rekomandimet e raportit të fundit të Komisionit Evropian nga grupi i posaçëm për reformën në Administratën Publike dhe përqëndrohet në katër drejtime kryesore: politikbërje dhe cilësi legjislacioni; organizim dhe funksionim të administratës publike; menaxhim burimesh njerëzore e procedura administrative dhe mbikqyrje”- tha znj. Mesi.

Ndërkaq fokusi kryesor i vitit që lamë pas ishte rritja e pagave për punonjësit e administratës publike, vazhdimi i përmbushjes dhe garantimi i zbatimit të legjislacionit për nëpunësin civil në të gjithë institucionet e administratës shtetërore si dhe reforma funksional - strukturore e institucioneve të administratës publike, ristrukturimi i aparatit të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës.

Zëvendëskryeministrja Mesi dhe drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, iu përgjigjën interesit dhe pyetjeve të ngritura nga deputetët e pranishëm në komision lidhur me çështje të caktuara.