Departamenti i Administratës Publike zhvilloi më datë 4 maj 2018, analizën e punës së institucionit për 6 mujorin e fundit. Në takimin e drejtuar nga drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, ishin drejtorë dhe përgjegjës të sektorit të institucionit, drejtori i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), z. Fatmir Demneri, si dhe drejtorët e burimeve njerëzore të ministrive.

Materiali i analizës evidentoi punën e bërë për realizimin e detyrave të ngarkuara, treguesit kryesorë të arritur gjatë këtij viti, si dhe u përcaktuan synimet dhe objektivat kryesore për muajt në vijim.

Gjatë periudhës shtator 2017 – mars 2018, krahas realizimit të detyrave sipas misionit dhe fushave të përgjegjësive të secilës drejtori dhe sektor, rëndësi të veçantë pati raportimi i Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Institucioneve dhe Pagave për punën e bërë mbi ristrukturimin e ministrive, strukturave, performancës dhe përshkrimet e punës. Ndërkohë që prej disa muajsh ka nisur puna për ristrukturimin e institucioneve të varësisë, një proces sa i vështirë dhe sfidues njëkohësisht.

Sektori i rekrutimit gjatë raportimit tregoi ecurinë e procesit të shpalljeve, ecurinë e plotësimit të vendeve vakante, si dhe problematikat e hasura përgjatë këtij 300 ditëshi, ndërsa renditi si sfidë kryesore; sigurimin e interpretimit dhe zbatimin e duhur të legjislacionit të shërbimit civil nga të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e rekrutimit, ndërsa i mëshoi më shumë plotësimit cilësor të vakancave, pasi objektivi sasior ka kohë që është arritur.

Ndërkaq, Sektori i Ankesave Administrative dhe Gjyqësore paraqiti para pjesëmarrësve një panoramë të përgjithshme të situatës së proceseve gjyqësore, vendimeve të formës së prerë, komisioneve disiplinore etj.

Garantimi i integritetit të funksionarëve publikë, ishte çështja kryesore e raportimit të Sektorit të Inspektimit, Etikës dhe Integritetit, ndërkohë prioritet në vijim mbetet nxitja e institucioneve bashkëpunuese në respektimin e afateve, sigurimi i bashkëpunimit, koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve me të gjitha institucionet, si pjesë thelbësore e procesit.

Regjistri Qendror i Personelit ishte një tjetër raportim me vlerë në këtë takim. Gjatë raportimit të këtij sektori, u theksua rëndësia e zbatimit të formatit të ri të unifikuar të modulit të pagave përgjatë vitit 2017, ndërsa rinis në muajin maj procesi i testimeve për ndërveprimin e HRMIS me Sistemin Informatik të Qeverisë.

Sektori i Qeverisjes së Mirë dhe Jetësimit të Prioriteteve raportoi gjithashtu për punën e bërë në 6-mujorin e fundit, ku fokusi kryesor ishin aktivitetet e Planit të ri të Aktiviteteve të SNRAP, projekti i Binjakëzimit me Francën dhe Italinë, projekti IPA 2014 etj, ndërsa sfidë mbetet roli i DAP në procesin e integrimit evropian.

Edhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) paraqiti para pjesëmarrësve arritjet dhe sfidat e institucionit. Krijimi i kushteve dhe procedurave për zbatimin me transparencë dhe objektivitet të promovimit në karrierë në shërbimin civil, plane trajnimi të detyrueshme gjatë periudhës së provës, zhvillimi i platformës për e-learning dhe e-training, forcimi i kapaciteteve të trajnuesve, e të tjerë u renditën si objektivat në vazhdim të këtij institucioni.

Në përfundim të analizës 6 mujore, drejtori i DAP vlerësoi punën e personelit në përmbushjen e detyrave të tyre, duke u shprehur se pavarësisht arritjeve të deritanishme dhe profesionalizmit të treguar në mbështetje të realizimit të misionit dhe detyrave të këtij institucioni, mbetet prioritet dhe domosdoshmëri realizimi i objektivave për muajt në vijim, pasi nga viti në vit në Departamentin e Administratës Publike janë rritur përgjegjësitë.

Znj. Albana Koçiu tha se analiza duhet të shërbejë si motiv në përmirësimin e mëtejshëm të punës. Ajo shprehu mbështetjen e plotë që takime të tilla të bëhen në mënyrë periodike duke vepruar në formën e fokus grupeve me agjenda të përcaktuara.