Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE, “Bursa për Nëpunësit e Rinj Civilë” dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, zhvilluan në datën 7 qershor një tryezë diskutimi me temë “Partneriteti me Shkollat Europiane të Administratës Publike”. 

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shkollave më prestigjioze të administratës publike nga vendet e Bashkimit Evropian, si ajo e Irlandës, Francës, Rumanisë, Belgjikës, Bullgarisë dhe Kroacisë, të cilët paraqitën programet e trajnimit dhe metodat e përdorura për zhvillimin e aftësive profesionale të punonjësve të administratës së tyre.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte krijimi i partneritetit dhe bashkëpunimit me shkolla të ndryshme të administratës publike nga vendet e Bashkimit Europian për ciklet e ardhshme të trajnimit në plan afat-gjatë, nëpërmjet të cilit do të mund të sigurohet trajnimi i nëpunësve civilë për të përgatitur administratën në sfidat e procesit të integrimit. 

Gjatë fjalës së saj, Drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, theksoi rëndësinë e performancës së punonjësve të administratës publike. “Njësitë e burimeve njerëzore në institucione kanë rolin e tyre të padiskutueshëm në gjithë procesin e vlerësimit të performancës, në përqëndrimin për rritjen e kapaciteteve, për ofrimin e mjediseve të punës së përshtatshme, për motivimin dhe angazhimin e punonjësve publikë”- u shpreh ajo.

Më herët, qeveria shqiptare, me mbështetjen e Bashkimit Evropian nisën zbatimin e një skeme të re trajnimi për nëpunësit e rinj civilë, ku një grup prej 15 punonjësish nga institucionet qendrore u përzgjodhën për të qenë pjesë e fazës së parë të pilotimit.