Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të projektvendimit për miratimin e “Kartës së të drejtave të qytetarit për përfitimin e shërbimeve publike”, në 4 shtator u zhvillua një takim konsultativ me të rinjtë për të shpjeguar përmbajtjen e kësaj karte. 

Karta e qytetarit përshkruan në detaje të drejtën e informimit, të drejtën e ruajtjes së informacionit, të drejtën për të marrë shërbim në mënyrë transparente, të drejtën e tërheqjes nga kërkesa, të drejtën e konsultës përpara se të bëjnë një shërbim, të drejtën për trajtim të barabartë në ofrimin e shërbimeve publike etj.

Në aktivitet ishin të pranishëm Zëvendëskryeministrja, znj. Senida Mesi, Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu dhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), z. Lorin Ymeri. 

“Miratimi i kartës së qytetarit nëpërmjet këtij projektvendimi, synon të përmirësojë cilësinë dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve publike, duke siguruar një bazë të drejtash, të cilat i përfiton çdo qytetar apo biznes, që është pjesë e procedurave të ofrimit të shërbimit nga ana e institucioneve të administratës shtetërore”- tha gjatë fjalës së saj zv.kryeministrja znj. Mesi.

Në takim u diskutuan gjithashtu mundësitë e përmirësimit të punës së përditshme, ndryshimi apo përmirësimi i procedurave administrative në raport me qytetarin, ofrimi i shërbimeve më të mira, më cilësore dhe në kohë të shkurtër për qytetarët etj, e të gjitha këto kërkojnë punonjës të aftë e të përkushtuar të cilët duhet të trajnohen periodikisht. 

“Është ndërmarrë një program masiv, ku deri në muajin dhjetor synohet trajnimi i rreth 2 mijë punonjësve që shërbejnë në sportelet e administratës publike. Ata do t'i nënshtrohen trajnimeve për përmirësimin e sjelljes dhe mënyrën e komunikimit ndaj qytetarit në sportele dhe zyra” - theksoi znj. Koçiu.