Departamenti i Administratës Publike bashkë me Shkollën Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) zhvilluan në datën 17 shtator workshopin njëditor për prezantimin e “Draft Strategjisë ReSPA 2019-2024”. 

Në workshop merrnin pjesë përfaqësues të ReSPA-s, si dhe ekspertë të nivelit teknik nga Departamenti i Administratës Publike, institucione të tjera shtetërore dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë të cilët punojnë për implementimin e kësaj strategjie në administratën publike. 

Në takim u diskutua strategjia e re e ReSPA-s, e cila ndihmon në ri-përcaktimin e vizionit organizativ të vetë shkollës si dhe të vendeve anëtare të saj. Përgatitja e dokumentit strategjik është bazuar mbi 6 fushat horizontale të ReSPA-s mbështetur në Parimet e Administratës Publike si dhe strategjitë e secilit vend anëtar.

Përmirësimi i cilësisë dhe llogaridhënies në administratë, rritja e profesionalizmit dhe transparencës në rekrutimin e punonjësve, forcimi i kapaciteteve në administratën publike, trajnimet e nëpunësve civilë, paanësia politike dhe transparenca në rekrutimin e punonjësve për të përmirësuar më tej planin e punës në këtë strategji, ishin disa nga çështjet kryesore për të cilat u konsultuan pjesëmarrësit në workshopin e zhvilluar në ambientet e DAP.