Në datën 14 dhjetor u zhvillua takimi për lançimin e projektit IPA 2014. Në takim merrnin pjesë zëvendëskryeministrja, znj. Senida Mesi,  shefi i bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE në Tiranë, z. Stephen Stork, drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, drejtori i PAI (Public Administration International), z. Slava Gromlyuk, ekspertë dhe menaxherë të burimeve njerëzore të institucioneve qendrore dhe të varësisë.

 

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Koçiu theksoi rëndësinë e këtij projekti në kuadër të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe fuqizimit të institucioneve publike.

 

Projekti ka në fokus reformën në strukturën e pagave, përcaktimin e kritereve të performancës së punonjësve dhe institucioneve, krijimin e një sistemi të unifikuar të burimeve njerëzore për të gjithë administratën publike qendrore dhe lokale, përforcimin e rolit monitorues të Departamentit të Administratës Publike, si dhe hartimin e kurrikulave të trajnimit të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).

  

Projekti “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në administratën publike” i cili financohet nga fondet IPA 2014 do të zgjasë 30 muaj. Si çdo projekt shumë i rëndësishëm, Bashkimi Europian është mbështetësi kryesor në rrugën drejt reformave dhe integrimit të Shqipërisë.