Departamenti i Administratës Publike dhe Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me EURALIUS V zhvilluan më datë 18 dhjetor një sesion informues për nëpunësit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të juristëve në administratën publike për rolin dhe pozicionin e magjistratit në Republikën e Shqipërisë. 

Në panel ishin të ftuar, z. Sokol Sadushi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Idlir Peçi, ekspert pranë misionit EURALIUS V, z. Dashamir Kore, pedagog i brendshëm, znj. Albana Koçiu, Drejtor i Departamentit të Administratës Publike dhe znj. Arjeta Lika, kandidat për magjistrat.

Aktiviteti kishte në fokus njohjen e nëpunësve të administratës publike me profesion jurist, me procedurën dhe modalitetet e rekrutimit dhe Programin e Formimit Fillestar të kandidatëve për magjistratë.

Gjatë fjalës përshëndetëse, drejtori i DAP, znj. Koçiu vlerësoi se juristët në administratën publike janë një kontigjent me cilësi të lartë profesionale, kontribues në hartimin e legjislacionit, ndjekës të procedurave gjyqësore në të gjitha gjykatat administrative, civile dhe penale.

Interesi për këtë sesion informues ishte tejet i lartë, ku nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme të pranishmit folën mbi sugjerimet, komentet dhe sfidat në formimin që kërkon kjo shkollë.