Në datat 21 dhe 22 nëntor u zhvillua në Bruksel konferenca dyditore “Përmirësimet e administratës publike nëpërmjet bashkëpunimeve rajonale”. Konferenca e organizuar nga Shkolla Rajonale për Administratën Publike (ReSPA) mblodhi së bashku përfaqësues të lartë të administratave publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, prezantoi në këtë konferencë programin e mbështetur nga ReSPA, “Përmirësimi i Kulturës Organizative në Administratën Publike” si dhe vijimin e tij “Administrata që Duam”. 

Gjatë prezantimit të programit “Përmirësimi i Kulturës Organizative në Administratën Publike”, znj. Koçiu tha se ky program ishte një fillim i mirë për garantimin e qasjes së re të organizimit strukturor si dhe një ndihmë e shtuar në arritjen e performancës së tyre maksimale. Duke vijuar me shpjegimin e programit “Administrata që Duam”, ajo nënvizoi se synimi kryesor i tij është energjizimi i nëpunësve dhe krijimi i ekipeve me punonjës të motivuar e të angazhuar në punë. 

Në kuadër të bashkëpunimit, ReSPA do të vijojë të jetë një partner i rëndësishëm në iniciativa të ndryshme që kanë të bëjnë me reformën në administratën publike në Shqipëri me qëllim përballjen e sfidave të integrimit evropian.