Falë aplikimit në platformën “punetembare.al”, 373 ekselentët e parë fitues nisin sot punën në administratën publike. Në takimin së bashku me Kryeministrin dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore uruam ekselentët që përzgjodhën vendet e tyre të punës në shërbimin civil, për rrugëtimin e ri e plot sfida në administratë.

Nga kjo nismë e qeverisë, 373 ekselentët e parë do të përfitojnë një përvojë pune 1 vjeçare, por gjithashtu do t’ju jepet mundësia të konfirmojnë pozicionin e tyre të punës duke kapërcyer mungesën e eksperiencës gjatë fazës së rekrutimit me konkurs.

Departamenti i Administratës Publike ka përgatitur për ekselentët një udhëzues të thjeshtë që përmban bazën ligjore, mënyrën e organizimit dhe funksionimit të administratës, komunikimin dhe etikën brenda institucioneve të administratës publike etj.

Aktualisht, DAP në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore është duke zhvilluar fazën e dytë të përzgjedhjes së 202 pozicioneve jashtë shërbimit civil (me kod pune) nga ekselentët e kualifikuar në platformë.

Në muajin gusht, në platformën “punetembare.al” do të hapet thirrja e dytë për të gjithë të rinjtë që kanë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor dhe/ose master profesional/shkencor me mesatare 9.00-10.00 (ose të barazvlefshme me to) nga 2017 e në vijim.