Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, në një intervistë për ERTV pas ceremonisë së punësimit të 373 ekselentëve në pozicionet pjesë e shërbimit civil, shprehu besimin se rrugëtimi që nisin të rinjtë në administratën publike do të jetë një përvojë unike, sfiduese dhe shpresëdhënëse.

Pas përmbylljes së procesit gati 2- mujor që nga momenti i lançimit të platformës, fazës së aplikimit e më pas përzgjedhjes së pozicioneve nga ekselentët, Departamenti i Administratës Publike është besimplotë se përkushtimi, energjia e re, fryma pozitive e ekselentëve në ambientet e punës do të përmirësojë jo vetëm cilësinë e shërbimeve, por edhe sinergjinë e bashkëpunimit mes punonjësve aktualë.

Znj. Koçiu shpjegoi se ekselentët e punësuar me një kontratë 1 vjeçare do të kenë të drejtë të konkurrojnë për vendet ku kanë ushtruar detyrat e tyre përgjatë këtij viti, ku eksperienca e fituar do t’ju njihet si përvojë pune. Në 6- mujorin e dytë të vitit, referuar dhe dy vendimeve të qeverisë, do të hapet thirrja e dytë dedikuar punësimit të ekselentëve.