373 ekselentët e parë që përzgjodhën vendet e tyre të punës në shërbimin civil nisën në 12 mars rrugëtimin e ri në administratën publike. Gjatë takimit së bashku me Kryeministrin dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, ekselentët shprehën entuziazmin për mundësinë e bërë realitet falë platformës “punetembare.al”.

Nga kjo nismë e qeverisë, ekselentët e punësuar do të përfitojnë përvojë pune 1 vjeçare, por gjithashtu do të mund të konfirmojnë pozicionin e tyre të punës duke kapërcyer mungesën e eksperiencës gjatë fazës së rekrutimit me konkurs.

Departamenti i Administratës Publike përgatiti dhe shpërndau për ekselentët një udhëzues të thjeshtë që përmban bazën ligjore, mënyrën e organizimit dhe funksionimit të administratës, komunikimin dhe etikën brenda institucioneve të administratës publike etj.