Në datën 26 prill u prezantua platforma më e re për menaxhimin e burimeve njerëzore në funksion të përmirësimit të punës së administratës publike, “administrata.al”. Kjo platformë inovative, pjesë e projektit “Fuqizimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore” u financua nga Këshilli i Europës dhe Qeveria Zvicerane. 

Nëpërmjet përdorimit të platformës nga të gjitha institucionet, përfshi dhe pushtetin vendor synohet të përmirësohet ndërveprimi mes institucioneve publike duke lehtësuar komunikimin dhe raportimin e informacioneve në kohë reale, unifikuar praktikat administrative si dhe duke përmirësuar cilësinë e punës në drejtim të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore.

Platforma e konsideruar një hap i madh drejt një administrate më efektive, transparente dhe përfshirëse do të përmirësojë gjithashtu dhënien e shërbimeve si dhe besimin e publikut në institucionet e vendit duke siguruar raporte dhe informacione të përditësuara mbi treguesit kryesorë si: rekrutimi, lirimet nga puna, ngritjet në detyrë, procedurat disiplinore etj.

Në aktivitet merrnin pjesë Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës, znj. Jutta Gützkow, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, SH.T.Z Adrian Maître, Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, kryetarët dhe menaxherët e burimeve njerëzore të bashkive dhe Këshillave të Qarqeve, menaxherët e burimeve njerëzore të institucioneve të pavarura e të tjerë, të cilët diskutuan për reformën në administratën publike, reformën administrative territoriale, bashkëpunimin ndërkomunal dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur vendorë.