Në datat 24 – 26 qershor, Departamenti i Administratës Publike mori pjesë në forumin dedikuar shërbimeve publike, organizuar nga Kombet e Bashkuara. Forumi me temë “Lidhja e ofrimit të shërbimeve, menaxhimit të cilësisë dhe rolit të udhëheqjes: përvojat dhe mësimet e përfituara nga Ballkani Perëndimor, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani” u mbajt në Baku.

Gjatë forumit, Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA), si një nga partnerët kryesor organizoi   workshop-in me temë  – “Arritja e objektivave të një zhvillimi të qëndrueshëm, nëpërmjet shpërndarjes së shërbimeve efektive, transformimit inovativ dhe institucioneve të përgjegjshme.”

Në workshop, vendet anëtare të ReSPA, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia diskutuan rreth sfidave të institucioneve publike për transformimin inovativ, efektiv dhe në kohë të ofrimit të shërbimeve nëpërmjet parimeve të transparencës dhe llogaridhënies.

DAP foli për përmirësimin e administratës publike në ofrimin e shërbimeve publike, trajnimet e kryera për punonjësit që ofrojnë shërbim të drejtpërdrejtë te qytetari, etj.