Në datën 9 korrik, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zv. kryeministri Erion Braçe dhe drejtori i Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu prezantuan raportin e DAP për vitin 2018. 

Gjatë prezantimit mbi ecurinë e reformës në administratën publike, theksi u vu tek implementimi dhe garantimi i zbatimit rigoroz të legjislacionit për nëpunësin civil në të gjithë administratën shtetërore si dhe në reformën funksional – strukturore, në veçanti ristrukturimin e insitucioneve të varësisë. 

Duke u ndalur në procesin e rekrutimit në shërbimin civil, drejtori i DAP vlerësoi metodat inovative të menaxhimit të këtij procesi për rritjen e cilësisë së rekrutimit, ndërsa evidentoi se mbetet ende sfidë plotësimi me kandidatët e duhur, i pozicioneve vakante në rrethe. 

Në komision gjatë raportimit u vu theksi edhe në shtrirjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ, duke plotësuar sistemin me të dhëna, si dhe duke trajnuar personat përgjegjës në secilin institucion lidhur me përdorimin e tij. 

Ndër të tjera në raportim u vlerësua cilësia e shërbimeve ndaj klientit, falë rritjes së cilësisë së trajnimit, materialeve trajnuese dhe komunikimit me klientët.

Për një administratë publike të qëndrueshme, profesionale e të pavarur, edhe përgjatë 2019 puna do të vijojë me të njëjtin intensitet duke u fokusuar në reformën e pagave, trajnimin e burimeve njerëzore, përmirësimin e mëtejshëm të procesit të rekrutimit e të tjerë.