Në kuadër të projektit IPA 2014, “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike” përfaqësues nga Kryeministria, Departamenti i Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë realizuan një vizitë treditore studimore në Lisbonë, në datat 15, 16 dhe 17 korrik. 

Vizita në Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës dhe Punësimit Publik kishte për qëllim njohjen me arritjet dhe sfidat mbi reformën në administratën publike, reformën në fushën e pagave, menaxhimin e burimeve njerëzore, përshkrimet e punës dhe sistemin e shpërblimit sipas shembujve më të mirë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë trajnimit u shkëmbyen përvojat e Shqipërisë dhe Portugalisë, në fushën e: 

- Rekrutimit të nëpunësve civilë;

- Zhvillimit të karrierës në shërbimin civil;

- Trajnimet e ndryshme etj.

Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga një grup nëpunësish të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues.

Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me ekspertët e projektit po punojnë intensivisht për të përmirësuar më tej zbatimin e reformës së shërbimit civil nëpërmjet reformës së pagave, forcimit të kapaciteteve të institucioneve, përmirësimit të menaxhimit të burimeve njerëzore, etj. 

Reforma në sistemin e pagave, si një nismë shumë e rëndësishme, do të rrisë më tej aftësitë e punonjësve publikë, duke vlerësuar trajnimin e tyre të vazhdueshëm dhe aftësinë për të kryer punën.