Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu në një intervistë për ERTV tha se thirrja e dytë dedikuar punësimit të ekselentëve në administratë vjen me risi përsa i përket shtrirjes në vite, por edhe vlerësimit me pikë të aktiviteteve ekstrakurrikulare.

“Thirrja e dytë është hapur në 3 shtator dhe deri më 20 shtator çdo i interesuar që plotëson kushtet mund të aplikojë në platformën “punetembare.al”. Risia e thirrjes është se tashmë në platformë, mund të aplikojnë edhe studentë të cilët kanë përfunduar studimet nga viti 2015 dhe që plotësojnë kriterin kryesor, mesataren 9 deri në 10″, tha znj. Koçiu.

Znj. Koçiu shpjegoi gjithashtu se me pikë shtesë do të vlerësohen kandidatët që përveç diplomës dhe listës së notave do të paraqesin edhe dokumente që vërtetojnë përfshirjen e tyre në aktivitete ekstrakurrikulare apo skema vullnetarizmi gjatë viteve të studimit.

“Institucionet që kanë vendet vakante, si administrata doganore, administrata tatimore, insitucionet qendrore dhe ato të varësisë kanë nevojë për ekonomistë, juristë, shkenca inxhinierike, mjedisi, hidroteknika etj”.