Thellimi i bashkëpunimit mes institucioneve qendrore për përmirësimin e vlerësimit periodik të performancës dhe hartimin e përshkrimeve të sakta të pozicioneve të punës për nëpunësit publik ishte qëllimi kryesor i takimeve të zhvilluara në DAP me përfaqësuesit e burimeve njerëzore të institucioneve qendrore dhe ekspertët e projektit IPA 2014 “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në administratën publike".

Vlerësimi periodik i performancës në punë ka si synim:

1-         Të informojë nëpunësit lidhur me ecurinë e tyre në punë;

2-         Të shërbejë si bazë për të ndryshuar apo modifikuar sjelljen e nëpunësit me qëllim rritjen e efektivitetit të tij në punë;

3-         Të sigurojë të dhëna për menaxherët për të motivuar, shpërblyer dhe ndarë më mirë punët brenda ekipit që drejtojnë.

Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë që ka ky proces në administratën publike, si një hap thelbësor për reformimin e sistemit aktual të pagave, bazuar në parimin “pagë të njëjtë, për punë të njëjtë” për të çuar përpara reformën e administratës publike.