Transformimi digjital i administratës publike është thelbësor për zhvillimin e mundësive të reja inovative në thjeshtimin e procedurave transparente dhe efektive. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë lehtësi, shpejtësi dhe transparencë në përfitimin e shërbimeve publike dhe nga ana tjetër institucionet shtetërore kanë për detyrë të ofrojnë shërbime moderne dhe gjithëpërfshirëse, falë teknologjive inovative. 

Çështje të tilla rreth inovacionit, u diskutuan në datat 12 - 13 nëntor në konferencën rajonale me temë: “Transformimi digjital, rikrijimi i një administrate publike koherente me epokën digjitale”.

Përfaqësues të Departamentit të Administratës Publike së bashku me ministrat e vendeve të rajonit, përgjegjës për administratën publike, profesionistë të inovacionit etj, morën pjesë në konferencën e organizuar nga ReSPA (Shkolla Rajonale e Administratës Publike) mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut.