Departamenti i Administratës Publike gjatë muajit prill zhvilloi për herë të parë procedura rekrutimi tërësisht online, që nga testimi me shkrim e deri tek intervista me gojë. Përdorimi i teknologjisë së informacionit ishte hapi i duhur për të zhvilluar më tej procedurat e mbetura pezull si pasojë e masave për COVID-19.

Një proces të tillë sfidues, Drejtoria e Programeve të Reformës në Administratën Publike pranë Departamentit, e lehtësoi nëpërmjet zgjidhjeve të platformave teknologjike duke zhvilluar me sukses,  4 procedura rekrutimi online me rreth 19 pozicione.

Për realizimin e këtij procesi inovativ për administratën u trajnuan posaçërisht 10 punonjës të DAP, 5 ekspertë të fushës dhe 6 punonjës të institucioneve, pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Procedurave.

Testimi dhe intervistat online u mbështetën në 2 udhëzime të reja, hartuar nga DAP, ku shpjegohet në mënyrë të detajuar çdo hap që duhet të ndjekë kandidati i cili merr pjesë në konkurs. 2 udhëzimet mund t'i gjeni në www.dap.gov.al.