Në vijim të implementimit të projektit “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në Administratën Publike”, financuar nga fondet IPA 2014, në datën 23 shkurt përfaqësuesit e Departamentit të Administratës Publike (DAP) zhvilluan një takim online me përfaqësuesit e Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil (KMSHC).

Fokusi i takimit virtual ishte mbi setin e përbashkët të indikatorëve që mundësojnë të dhëna të sakta, në kohë reale, mbi progresin e reformës në administratën publike, në drejtim të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore. Këto të dhëna do të përfshihen edhe në raportet vjetore të monitorimit duke e pasqyruar edhe më të plotë kuadrin e progresit vjetor në fusha të caktuara.

Pas miratimit të vendimit nr. 833, datë 28.10.2020, të Këshillit të Ministrave, i cili detajon mënyrën e përdorimit të platformës “administrata.al”, institucionet shtetërore të pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë periodikisht të dhëna në “administrata.al” mbi indikatorët e menaxhimit të burimeve njerëzore. Falë platformës të gjithë të interesuarit do të mund të gjenerojnë në kohë reale të dhëna të sakta mbi ecurinë e Reformës së Administratës Publike.

DAP dhe KMSHC ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për të gjitha institucionet që angazhimi i tyre të jetë maksimal në përditësimin e të dhënave në platformën "administrata.al".