Përtej vështirësive që solli pandemia, reforma në administratën publike shqiptare vitin e kaluar ishte sa sfiduese, po aq edhe transformuese në ofrimin dhe garantimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ndaj dhe fokusi i raportit të Monitorimit të SNRAP 2020 është Shqipëria digjitale, një realitet i prekshëm me portalin e-Albania dhe rekrutimi tërësisht online nëpërmjet platformës administrata.al.

Këto dy momente kryesore gjatë 2020 dhe çështje të tjera të rëndësishme, drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu i diskutoi në takimin online të Grupit Tematik të SNRAP, për raportin vjetor të monitorimit, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.

Falë platformës së integruar të komunikimit administrata.al, në prill të 2020 u mundësua testimi elektronik duke realizuar në këtë mënyrë zhvillimin e procedurave të rekrutimit tërësisht online. Kjo platformë konfirmoi dhe një herë vlerën e shtuar të saj në modernizimin dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike, nëpërmjet unifikimit dhe standardizimit të procedurave në nivel qendror dhe lokal.

Në takimin e datës 20 maj u prezantuan gjithashtu arritjet kryesore dhe sfidat gjatë vitit të kaluar në fusha si: politikëbërja, dixhitalizimi i shërbimeve (e-Albania), burimet njerëzore (rekrutimi), trajnimet online për përshtatjen e administratës publike me nevojat e realitetit të ri etj.