Departamenti i Administratës Publike bashkë me delegacionin nga Shqipëria, mori pjesë në takimin shpjegues për Reformën e Administratës Publike në Bruksel. Takimi i datës 19 shtator 2022 ishte i pari i një turi të gjatë takimesh që do të vijojnë edhe në muajt e ardhshëm.

Delegacioni shqiptar pati mundësinë të prezantonte disa nga arritjet kryesore të Reformës në Administratën Publike si:

  • Krijimin e agjencisë për bashkëqeverisjen
  • Rritjen e cilësisë së analizës së vlerësimit të ndikimit dhe zbatimit për aktet ligjore përmes raporteve RIA
  • Rekrutimin e nëpunësve civilë në bazë të meritokracisë, funksionalitetin e platformës inovatore “administrata.al”
  • Finalizimin e politikës së re të pagave etj.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjithashtu edhe mbi rëndësinë dhe sfidat e 6 principeve kryesore të administratës publike:

  • Kuadri strategjik i Reformës së Administratës Publike
  • Zhvillimi dhe koordinimi i politikave
  • Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore
  • Llogaridhënia
  • Ofrimi i shërbimeve
  • Menaxhimi i financave publike

Ky takim me qëllim shpjegimin e ecurisë së PAR, do të shërbejë si fazë përgatitore për takimin vijues dypalësh të skanimit (screening), një proces i rëndësishëm ku shteti shqiptar prezanton situatën se ku qëndron në lidhje me Reformën në Administratën Publike.

*Procesi Screening, ndryshe vlerësimi analitik i nivelit të harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis të BE-së, shënon fazën e parë të negociatave të anëtarësimit. Screening zhvillohet në tre hapa: në takimet shpjeguese, takimet dypalëshe dhe përmbyllet me raportin screening.