Në drejtim të rritjes së eficiencës dhe përgjegjshmërisë së nëpunësve publikë Departamenti i Administratës Publike ka filluar të zbatojë në muajin shkurt (2023) programin “Ngritja e kapaciteteve për nëpunësit civilë të administratës publike, përfshirë trajnimet/praktikat dhe vizita studimore në administratat e vendeve anëtare të BE-së (qelizat e reja)”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA 2020.

Programi do të mbështesë Qeverinë Shqiptare në reformën e shërbimit civil dhe do të kontribuojë në zhvillimin e një administrate publike profesionale dhe efektive në përputhje me standardet evropiane, duke ju mundësuar nëpunësve civilë përmbushjen e detyrimeve dhe sfidat të cilat diktohen gjatë procesit të integrimit të vendit në BE si dhe të detyrimeve të tjera strategjike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Programi i cili do të zgjasë nga muaji shtator 2023 deri në prill 2024, do të zbatohet nga Instituti Kombëtar Francez i Shërbimit Publik dhe partnerët: Universiteti i Shkencave Administrative të Aplikuara në Kehl (Gjermani); Universiteti i Bolonjës (Itali) dhe dy partnerët shoqërues Shkolla e Administratës Publike e Kroacisë dhe Greqisë në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike.

Synimi i programit:

Ky program synon t’i japë mundësinë 25 nëpunësve civilë të administratës publike shqiptare të marrin pjesë në një program zhvillues për rritjen e kapaciteteve të tyre. Në këtë program përfshihen trajnime praktike, seminare dhe workshop-e, vizita studimore dhe praktika pune në shkollat dhe administratat publike të 5 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (Francë, Itali, Gjermani, Greqi dhe Kroaci).

Kush mund të aplikojë?

Në skemën ‘Young cells’ mund të aplikojnë brenda datës 6 qershor 2023, nëpunës civilë që i përkasin nivelit të ulët drejtues (kategoria e pagës III-a, III-a/1) dhe nivelit ekzekutiv (kategoria e pagës III-b, IV-a, IV-b dhe IV-c), të administratës shtetërore, institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore të cilët kanë 3 - 8 vjet eksperiencë në administratën publike.

Për më shumë informacione mund të klikoni në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, dap.gov.al, dhe “Young Cells”, ycsalbania.eu.