Përgjatë muajit dhjetor, projekti “Qelizat e reja” nëpërmjet shkollës online ka vijuar fazën parapërgatitore me trajnime intensive për 25 nëpunësit e përzgjedhur, për të kuptuar më mirë praktikën e tyre në vendet anëtare të BE.

Përfaqësuesi i Skemës së Auditit dhe Menaxhimit Eko (EMAS), z. Celso Sanchez Martinez, prezantoi në 5 dhjetor tematikat e Komisionit Evropian të cilat do të orientohen më shumë drejt politikave të gjelbra duke përdorur strategjinë e re të Burimeve Njerëzore për iniciativa më të qëndrueshme për praktikat e gjelbra si dhe strategjinë digjitale. Gjithashtu,gjatë sesionit u diskutua ndikimi që do të ketë zbatimi i EMAS në një mjedis ku konsumohet më pak letër dhe energji elektrike, për të reduktuar emetimin e karbonit.

Në 11 dhjetor gjatë sesionit të shkollës online u diskutua mbi praktikat e ekselencës së shërbimit civil të Drejtorisë së Përgjithshme të Administratës dhe Shërbimit Civil, në Francë. 25 nëpunësit u njohën me funksionet e këtij institucioni sa i përket nxitjes së transformimit dhe modernizimit të shërbimit publik, strategjinë për krijimin e një administrate publike tërheqëse, programet inovative të shërbimit civil që synojnë zhvillimin e karrierës, etj.

Në sesionin e datës 13 dhjetor, 25 nëpunësit e projektit “Qelizat e reja” ndoqën znj. Marion Loustric, Drejtore Programi në Drejtorinë Digjitale Ndërministrore, e cila foli për përmirësimin e shërbimit civil nëpërmjet transformimit digjital në administratën publike franceze. Ajo foli konkretisht për sfidat dhe arritjet e transformimit digjital shtetëror, kornizën ligjore dhe teknikën që rregullon iniciativat digjitale.

Më 19 dhjetor përfaqësuesja e Burimeve Njerëzore e Drejtorisë Digjitale Ndërministrore (DINUM), znj. Cornelia Findeisen foli për tërheqjen dhe mbajtjen në punë të talenteve më të mira, si dhe përpjekjet e transformimit digjital të administratës franceze. Ajo theksoi rëndësinë e transformimit digjital në përmirësimin e sektorit publik, kushteve të punës, ofrimin e një page konkurruese si dhe mundësinë për rritje në karrierë.