Znj. Adea Pirdeni, emërohet ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Ky vendim erdhi pas propozimit të kryeministrit, z. Edi Rama, për krijimin e kësaj ministrie në një kohë kur Shqipëria është në një fazë të re zhvillimi dhe po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Puna voluminoze kërkon një qasje të re ndaj administratës publike për të rritur krahas pagave konkurruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trajnimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë…”- shkruan kryeministri z. Rama në platformën X.

Znj. Adea Pirdeni më herët ishte në pozicionin e zëvendësministres së Drejtësisë, duke mbuluar në portofolin e saj kryesisht çështje të integrimit evropian si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 "Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, antikorrupsionin dhe kuadrin strategjik në fushën e drejtësisë.