Përfaqësues të DAP dhe administratave publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në mbledhjen e Komitetit të Programit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) në Shkup.

Gjatë mbledhjes së datës 31 janar u diskutuan dinamikat e vitit të kaluar dhe aktivitetet e reja që do të zhvillohen përgjatë 2024.

Vlerësimi i progresit të punës, qëllimet dhe prioritetet e Reformës së Administratës Publike dhe integrimit evropian në lidhje me programin dhe strategjinë e ReSPA, ishin pikat kyçe të diskutimit mes pjesëmarrësve në këtë aktivitet.

Fushat tematike si: koordinimi i politikave, menaxhimi i burimeve njerëzore, transformimi digjital dhe integrimi në BE do të jenë gjithashtu fokusi i këtij viti. Organizatorët prezantuan gjithashtu draftin e parë të Strategjisë së re ReSPA 2025 - 2030 si dhe risitë ku do të bazohet kjo strategji.