Nëpunësit civilë të përzgjedhur nga ministritë e linjës, institucionet e varësisë, bashkitë, prefekturat dhe agjencitë e ndryshme, nisën rrugëtimin e tyre të ri të rritjes së kapaciteteve dhe zhvillimit të praktikave në administratat e shteteve anëtare të BE-së, Francë, Itali, Gjermani dhe Kroaci.

Praktikat e punës do të organizohen me qëllimin kryesor për të mbështetur zhvillimin e aftësive të nëpunësve civilë shqiptarë që marrin pjesë në program. Praktikat do të përforcojnë aftësitë e pjesëmarrësve duke mësuar më shumë rreth zbatimit të politikave apo ofrimit të shërbimeve në administratat pritëse.

Ky program do të përmirësojë dhe rrisë profesionalisht nëpunësit e administratës shqiptare dhe kontributi i tyre do të jetë vlerë e shtuar në progresin e Reformës në Administratën Publike.

Programi i financuar nga fondet IPA, që po monitorohet nga DAP synon njohjen e përvojave më të mira në fushën e Reformës së Administratës Publike dhe çështjet e integrimit evropian.