Departamenti i Administratës Publike


Departamenti i Administratës Publike ka për qëllim sigurimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.

1. Departamenti i Administratës Publike është institucioni publik përgjegjës për:

(i) menaxhimin dhe implementin e shërbimit civil në të gjitha institucionet e administratës qendrore; (ii) hartimin dhe implementimin e politikave në fushën e pagave dhe ndërtimit të institucioneve të administratës publike; dhe (iii) hartimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve të përgjithshme të trajnimit të zbatueshme për administratën publike në tërësi. 


Departamenti i Administratës Publike kryen këto funksione:

a) përgatit dhe mbikëqyr zbatimin e politikave shtetërore në shërbimin civil;

b) përgatit projekt-aktet ligjore dhe nënligjore për shërbimin civil;

c) mbikëqyr zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore;

ç)  përgatit mendim për çdo projekt-akt të propozuar nga institucionet e tjera që ka të bëjë me marrëdhëniet e punësimit në administratën publike;

d) miraton dhe ndjek zbatimin e programeve të trajnimit në shërbimin civil;

dh) përgatit planin vjetor të pranimit për institucionet e administratës shtetërore;

e) përfaqëson, së bashku me Ministrinë e Financave, Këshillin e Ministrave në negociatat dhe konsultimet për kushtet e përgjithshme të punës në shërbimin civil me sindikatat ose përfaqësuesit e nëpunësve civilë;

ë)  administron Regjistrin Qendror të Personelit;

f)  mbështet dhe siguron këshillimin e institucioneve në zbatim të këtij ligji;

g) përgatit udhëzime të përgjithshme dhe manuale për të garantuar zbatimin e unifikuar të legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore;

gj) i paraqet Kryeministrit, me propozim të institucioneve të administratës shtetërore, strukturën dhe organikën e tyre, në përputhje me dispozitat ligjore për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë;

h) në përputhje me legjislacionin në fuqi, harton dhe bashkëpunon për strukturën e pagave për nëpunësit dhe punonjësit e administratës publike, qendrore dhe vendore;

i)  ushtron çdo kompetencë të dhënë nga ky ligj apo në bazë të tij.