Departamenti i Administratës Publike mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për 200 praktikantët më të mirë të cilët mbaruan me sukses 3 muaj praktikë në administratën publike. Pasi përfunduan praktikën e punës, 200 studentë nga 600 të tillë, nënshkruan 1 vit kontratë pune në administratën shtetërore.

Në  ceremoni merrnin pjesë Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla, zëvendësministrja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen, Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Albana Koçiu, tha se angazhimi në zyrat e institucioneve të administratës publike dhe mundësia për t’u njohur nga afër me mënyrën e funksionimit të administratës në terësi, me ritmin e punës, praktikat e ndjekura, gjithashtu edhe mundësia për të prekur fusha specifike të institucioneve ku është kryer praktika, ju shërben të rinjve të sapodiplomuar si njohuri shtesë praktike dhe teorike shumë e rëndësishme për zhvillimin e tyre profesional.

Duke shprehur bindjen se praktikat e punës janë një mundësi reale për të qenë një hap më pranë statusit të shërbimit civil, drejtori i DAP tha se, nga 309 praktikantë që kanë marrë certifikatën pas përfundimit të praktikave të punës dhe që kanë aplikuar për një vend pune, 30% e tyre kanë rezultuar fitues në konkurse.

Kjo eksperiencë, parë në të gjitha dimensionet e saj, ka ndihmuar në qartësimin e ideve sa i takon rrugëtimit profesional në të ardhmen e pse jo, të ketë nxitur tek të rinjtë dëshirën për të qenë pjesë e administratës, pasi administrata ka nevojë për energjinë dhe idetë e të rinjve. 

Programet, praktikat apo trajnimet e ndryshme që Departamenti i Administratës Publike ka ndërmarrë dhe do vazhdojë të ndërmarrë, janë tregues i angazhimit në përmbushjen e synimit për një administratë të përgatitur, profesionale me punonjës të cilët ushtrojnë detyrën me integritet dhe energji pozitive.