Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu, së bashku me zëvendëskryeministren, znj. Senida Mesi, zhvilluan në datë 9 nëntor një takim me akademikë të fushave të ndryshme, në një bashkëbisedim të hapur me temë: “Tërheqja e më të mirëve në administratën publike”.

Në kuadër të reformës në administratën publike, si një nga prioritetet kyçe të Shqipërisë në rrugën evropiane, bashkëbisedimi me përfaqësuesit e botës akademike është vlerë e shtuar për ta çuar edhe më përpara këtë proces të rëndësishëm.

Duke folur për bashkëpunimin me pedagogët, znj. Koçiu theksoi rëndësinë e angazhimit të akademikëve jo vetëm si pjesë përbërëse e Komiteteve të Përhershme të Pranimit, por edhe si një nevojë për përmirësimin e proceseve dhe hallkave të zhvillimit të procedurave të rekrutimit në shërbimin civil. 

Nevoja për një brez të mirëpërgatitur në auditorët e universiteteve sot, për të qenë nëpunës profesionistë nesër, evidentimi i talenteve, motivimi, nxitja e karrierës në administratën publike, përkushtimi dhe profesionalizmi në shërbimin ndaj qytetarëve ishin çështjet kryesore të diskutuara në takim.