Në datë 23 qershor 2020 u zhvillua online takimi i 9-të i Grupit të Posaçëm të Reformës së Administratës Publike për Shqipërinë. 

Takimi i nivelit të lartë i cili bashkëdrejtohej nga zëvendëskryeministri, z. Erion Braçe, dhe Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje - Hercegovinën në Komisionin Evropian, znj. Michela Matuella kishte për qëllim diskutimin e zhvillimeve kryesore të reformës së administratës publike.

Drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, foli për ecurinë e reformës së shërbimit civil, përmbushjen e rekomandimeve të lëna në mbledhjen e fundit të Grupit të Posaçëm, por edhe për sfidat e hasura për shkak të situatës së jashtëzakonshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Sa i përket reformës së shërbimit civil, Komisioni Evropian vuri në dukje progresin në dixhitalizimin e sistemit të rekrutimit dhe zhvillimin e platformës së menaxhimit të burimeve njerëzore “administrata.al”.

Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike BE – Shqipëri, është forumi kryesor i dialogut politik ku institucionet e qeverisë shqiptare së bashku me përfaqësuesit e Komisionit Evropian diskutojnë ecurinë e zbatimit të reformave të administratës publike, decentralizimit dhe menaxhimit të financave publike.