Edhe përgjatë muajit qershor, Departamenti i Administratës Publike ka vijuar me zhvillimin e procedurave të rekrutimit online.

Ndërkohë, për një pjesë të vogël të procedurave, për shkak të numrit të lartë të kandidatëve të kualifikuar dhe limiteve të mjeteve të teknologjisë së informacionit, DAP ka zhvilluar testimet në auditore, duke respektuar rigorozisht të gjitha rregullat dhe masat nga institucionet përkatëse për parandalimin e COVID-19.

Përgjatë këtij muaji, Departamenti ka zhvilluar 66 konkurse rekrutimi, si dhe ka trajnuar posaçërisht për procedurat e rekrutimit online 69 anëtarë të Komiteteve të Vlerësimit.

Falë programeve dhe mjeteve të teknologjisë së informacionit, puna ka vijuar normalisht për plotësimin e vendeve vakante, me qëllim përmbushjen e planit të rekrutimit të punonjësve të administratës shtetërore për vitin 2020.