Në 8 dhjetor, drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu, ishte e ftuar në një bashkëbisedim të hapur me të rinjtë, organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë. Në takim u diskutua për mundësitë e punësimit të të rinjve, për programet, projektet dhe platformat që janë krijuar posaçërisht për ta.

 

Ndërsa shprehu kënaqësinë për iniciativën e veçantë të punësimit të ekselentëve, falë “Paktit të Universitetit”, znj. Koçiu tha se, 300 ekselentë gëzojnë tashmë statusin e nëpunësit civil në administratë.

 

Ajo foli gjithashtu dhe për thirrjen e vitit 2020, ku theksoi se shpallje të tilla do të bëhen për çdo vit kalendarik: “1/3 e vendeve në administratën publike i dedikohet dhe do të vijojë t’i dedikohet punësimit të të rinjve, një mundësi kjo në formë shpërblimi për të gjithë mundin, sakrificën e familjeve për të edukuar fëmijët e tyre. Në 4 dhjetor ishte afati i fundit i aplikimit për 108 vendet vakante të thirrjes 2020, ndërkohë që DAP vijon punën për fazat e mëtejshme”.

 

Një tjetër iniciativë që përmendi znj. Koçiu gjatë këtij takimi ishte dhe punësimi i të rinjve nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës. Nga viti 2015 e deri më tani janë mbi 3 mijë studentë që kanë zhvilluar praktikën në institucione të ndryshme shtetërore, e 1 mijë prej tyre janë punësuar me kontratë pune, ekseperiencë kjo që DAP e njeh si përvojë pune në procedurat e rekrutimit.