Projekti i financuar nga BE me fondet IPA 2014 “Zbatimi i Reformës së Shërbimit Civil në administratën publike” i nisur në Tetor 2018, përfundoi me sukses të gjitha aktivitetet në muajin Tetor 2021.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti ishte të asistojë qeverinë shqiptare në kuadër të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe fuqizimit të institucioneve publike, mbështetur në këto komponentë kryesorë: reformën në strukturën e pagave, përcaktimin e kritereve të performancës së punonjësve dhe institucioneve, krijimin e një sistemi të unifikuar të burimeve njerëzore për administratën publike qendrore dhe lokale, përforcimin e rolit monitorues të DAP, hartimin e përmirësimin e kurrikulave të trajnimit të ASPA etj

Arritjet e projektit u prezantuan në datën 7 Tetor, në formën e një konference përmbyllëse si dhe në një diskutim të nivelit të lartë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të intitucioneve kyçe të përfshira në implementim.

Në fjalën përshëndetëse, drejtori i DAP, znj. Albana Koçiu vlerësoi punën e palodhur të ekipit për realizimin e produkteve të projektit, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm proceset e brendshme të punës, si dhe do të intensifikojnë më tej përpjekjet për një administratë publike moderne dhe eficiente, të aftë për të ofruar shërbime me cilësi të lartë.

Projekti i financuar nga fondet IPA 2014 të Bashkimit Evropian, u zbatua nga Public Administration International (PAI) nga Mbretëria e Bashkuar, në partneritet me École Nationale d'Administration (ENA) nga Franca, Agence Française d'Expertise Technique International (AFETI) – Expertise France nga Franca, IBF International Consulting nga Belgjika dhe IDRA shpk nga Shqipëria.