Në datën 9 nëntor Shqipëria mori kryesimin e Bordit Drejtues të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) për vitin 2022, në fushën e Reformës në Administratën Publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ceremonia e dorëzimit të kryesisë u zhvillua online në takimin e 13-të Bordit Drejtues të ReSPA, ku morën pjesë përfaqësues nga qeveria shqiptare, ministrat përgjegjës për administratën publike në Ballkanin Perëndimor, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, programit OECD/SIGMA dhe anëtarë të tjerë të Bordit.

Ministrja e Administratës Publike dhe Pushtetit Vendor të Serbisë, znj. Marija Obradović, i dorëzoi kryesinë e Bordit Drejtues të ReSPA, znj. Belioza Çoku, Drejtore e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit.

Në fjalën përshëndetëse, znj. Çoku, tha se “qeveria shqiptare do të angazhohet maksimalisht në rritjen e dialogut, bashkëpunimit rajonal dhe vëmendjes politike në fushat kyçe të administratës publike dhe integrimit evropian, të vendeve të rajonit”.

Gjatë takimit online u prezantua dhe u miratua me votat e plota të bordit drejtues Raporti vjetor i ReSPA dhe buxheti për vitin 2022 – 2023.