Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu në datën 29 maj në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut bëri një përmbledhje të raportit të veprimtarisë së DAP për vitin 2021.

Gjatë prezantimit të raportit u evidentua vlerësimi i fundit i SIGMA, ku e rendit Shqipërinë lider në Ballkanin Perëndimor për mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore dhe shërbimin civil.

Znj. Koçiu u ndal gjithashtu dhe në përdorimin e platformës “administrata.al”, si një mekanizëm që do të çojë në një nivel tjetër cilësinë e bashkëpunimit mes institucioneve në menaxhimin e praktikave të burimeve njerëzore.

“Ka ardhur momenti që jo vetëm institucionet e administratës shtetërore, por edhe të pushtetit vendor të jenë në të njëjta standarde në procesin e rekrutimit. Besojmë se platforma është një mekanizëm i mirë, një urë komunikimi mes institucioneve tona për të unifikuar praktikat në këtë drejtim”, -tha ajo.

Disa nga çështjet kyçe të raportit:

  • Plotësimi i vendeve vakante
  • Rienergjizimi i administratës publike nëpërmjet nismës së punësimit të studentëve të ekselencës
  • Përmirësimi i procesit të rekrutimit
  • Përmirësimi i testeve dhe kapaciteteve të komisioneve të vlerësimit për të vlerësuar aplikantët
  • Hartimi i manualeve të posaçme për nëpunësit e administrates
  • Rritja e kapaciteteve të nëpunësve

 

“Objektivi kryesor për vitin që vjen është nisja e procesit të ri të shkrimit të dokumentit strategjik të reformës së administratës publike për vitin 2023 e në vijim, që synon reformimin e institucioneve në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit”.