Në muajin qershor, Departamenti i Administratës Publike njoftoi hapjen e Thirrjes 4, dedikuar punësimit të ekselentëve në administratën shtetërore. DAP ftoi të rinjtë dhe të gjithë të interesuarit të cilët kanë përfunduar studimet bachelor, master profesional, master shkencor, me mesatare 9.00-10.00, nga viti 2019 e në vijim të aplikonin në thirrjen e radhës.

Thirrja 4, me afat për aplikim deri në datën 27 qershor, përmban 92 pozicione vakante në 42 institucione shtetërore, në 63 profile të ndryshme në 13 qytete të Shqipërisë.

Punësimi nëpërmjet thirrjeve të dedikuara për ekselentët ndihmon të rinjtë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe karrierës së tyre. Ky mekanizëm synon nxitjen e studentëve ekselentë të bëhen pjesë e administratës publike për punësimin e përkohshëm në pozicione të ndryshme të administratës shtetërore për 1 vit, kohë gjatë së cilës ata do të kenë mundësi të përforcojnë aftësitë e tyre në punë.

Punësimi i ekselentëve në administratë është një proces i nisur në kuadër të Paktit për Universitetin.