Në 19 korrik, nisi zyrtarisht çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në konferencën e pare ndërqeveritare Shqipëri – BE, mbajtur në Bruksel, komisioneri i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi tha se, me hapjen e negociatave, do të nisë një proces i gjatë transformues për Shqipërinë që do të ndikojnë në jetën e përditshme të shqiptarëve.

Çfarë nënkupton çelja zyrtare e negociatave?

Hapja zyrtare e negociatave nënkupton miratimin e ligjit të vendosur të BE-së (acquis), përgatitjet për zbatimin e tij dhe zbatimin e reformave ligjore, politike, administrative, ekonomike dhe reformave të tjera të nevojshme që vendi të përmbushë kushtet për anëtarësim.

Reforma në administratën publike në Shqipëri është një proces ngushtësisht i lidhur me rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare si një instrument thelbësor për ofrimin e shërbimeve më cilësore ndaj publikut.

Administrata duhet të jetë e përgatitur për procesin e integrimit, e veçanërisht për fazën pas hapjes së negociatave, punës, dialogut dypalësh, përafrimit të legjislacionit tonë me acquis, dhe gjithçka tjetër që na pret në këtë proces të rëndësishëm.