Në datën 23 janar, drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu raportoi në mbledhjen e radhës së Nënkomisionit për Administratën Publike, për konstatimet dhe rekomandimet e lëna në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, për vitin 2022, lidhur me shërbimin civil.

Znj. Koçiu prezantoi në seancën dëgjimore, punën e DAP për reformimin e administratës publike, si një fushë prioritare, për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo foli për 6 parimet kryesore të administratës publike, në kontekstin e anëtarësimit, mbi të cilat Shqipëria do të vlerësohet nga Komisioni Evropian, ku që prej shtatorit të vitit të kaluar DAP ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e BE për shpjegimin e të gjithë procesit dhe mënyrës se si vendi do të vlerësohet në këtë aspekt, arritjet, sfidat dhe objektivat.

Drejtori i DAP foli edhe për strategjinë e re të administratës publike 2023-2030, për të cilin po bashkëpunohet me SIGMA-n, rekomandimet e lëna nga KE, ku sqaroi masat e marra, lidhur me procedurën e rekrutimit, dixhitalizimin dhe rritjen e transparencës së të gjithë procesit, rekrutimin e TND-ve, iniciativat për reformën e skemës së pagave, përshkrimet e vendeve të punës, vlerësimin e performancës etj.

Në fund të seancës dëgjimore, znj. Koçiu iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me trajnimin e vazhdueshëm të nëpunësve publikë, vlerësimet e punës si dhe sfidën për tërheqjen e profesionistëve në administratën publike.