Takimi i 6- i Grupit Special për Reformën në Administratën Publike, që u zhvillua më 8 mars 2016 në Tiranë ka pasur në fokus të tij disktutimin e progresit të bërë në zbatim Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2015-2020 dhe Planit të saj të Veprimit.

Takimi është bashkëdrejtuar nga Ministra e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito dhe nga Përgjegjësia e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën në Komisionin Evropian, Znj. Michaela Matuella.

Në takim kanë marrë pjesë të gjithë institucionet shqiptarë të përfshira zbatimin e  Strategjisë për Reformën në Administratën Publike dhe gjithashtu të gjithë aktorët kryesorë vendas dhe të ndërkombëtarë, duke përfshirë Delegacionin e BE, UNDP, Bankën Botërore etj.

Në fjalën e saj në çelje të takimit, ministrja Harito është shprehur: “Reforma në Administratën Publike, si prioriteti numër 1 në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka shënuar progres të konsiderueshëm gjatë dy viteve të kaluara. Tashmë ka përfunduar raporti i parë i Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike (SNRAP) per vitin 2015. Nga gjetjet e këtij raportit rezulton se 63% e aktiviteteve janë duke u zbatuar. Nga këto 12% janë realizuar plotësisht ndërsa 88% të tjerat janë realizuar pjesërisht. Shifrat e paraqitura janë tejet premtuese, pasi më shumë se gjysma e aktiviteteve ka filluar zbatimin gjatë vitit të parë të strategjisë”.

Duke ju referuar objektivave për të ardhmen, Ministrja Harito tha: “Në terma afatshkurtër sfida jonë e vitit në vijim është shtrirja e sistemit të informacionit, pra asaj që quhet baza e të dhënave të administratës publike nga Shërbimi Civil ku ajo është tashmë efikase në të gjithë Administratën Publike. Është një sfidë e madhe, por është guri i themelit për të çuar përpara reformën”.

Ky takim vjen pas Raportit pozitiv të Komisionit Evropian për fushën e Administratës Publike, në të cilin shprehej se “progres i mirë është bërë në lidhje me prioritetin kyç të Reformës në Administratën Publike, sidomos në lidhje me implementimin e një strategjie për një reformë gjithëpërfshirëse”.

Grupi Special për Reformën në Administratën Publike është një strukturë dialogu mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.