Në muajin mars, 23 përfituesit e projektit “Qelizat e reja” përmbyllën me sukses 10 javë fantastike të praktikave të tyre të punës në vendet pritëse të Bashkimit Evropian: Francë, Gjermani, Itali dhe Kroaci.

Pjesëmarrësit gjatë kësaj kohe patën mundësi të kishin akses të gjerë në administratat dhe sistemet institucionale të shteteve anëtare të BE-së duke krijuar në këtë mënyrë dhe rrjetin e kontakteve me nëpunësit francezë, kroatë, gjermanë dhe italianë.

Çdo praktikant i projektit “Qelizat e reja” udhëhiqej nga një mentor, i cili ishte përgjegjës dhe mbikëqyrte punën e tij gjatë gjithë kohëzgjatjes së pjesëmarrjes së tyre në administratën pritëse.

Programi në këtë fazë synoi njohjen e përvojave më të mira në fushën e Reformës së Administratës Publike dhe çështjet e integrimit evropian, pasi familjarizimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian është një hap më pranë anëtarësimit dhe sfidave që e presin administratën publike shqiptare drejt rrugës së gjatë dhe transformuese të integrimit.