Profesionistë nga Departamentet e Administratave Publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në datat 11 - 13 mars morën pjesë në javën e shkëmbimit të përvojave të punës në Paris.
Pjesëmarrësit patën mundësi të ndanin eksperiencat e tyre në punë gjatë karrierës në shërbimin civil, nga proceset e rekrutimit e deri te vlerësimi i performancës, zhvillimi i aftësive profesionale dhe mobiliteti në administratën publike.
Aktiviteti dedikuar zhvillimit të karrierës, sfidave dhe ndarjes së praktikave më të mira me kolegët francezë, belgë dhe italianë, u mundësua nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike, ReSPA nëpërmjet nismës së Komisionit Evropian PACE – Shkëmbimi i Bashkëpunimit të Administratës Publike, nismë kjo me një objektiv të qartë: ndarjen e praktikave dhe nxitjen e bashkëpunimit më të ngushtë në të ardhmen.
Aktiviteti treditor u zhvillua në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Administratës dhe Shërbimit Civil në Paris, Francë.