Pas 10 javësh fantastike të praktikave të punës në administratat e vendeve të Bashkimit Evropian, nëpunësit e programit “Qelizat e reja” nisën “aventurën” e tyre të re, vizitat studimore.
Përgjatë vizitave studimore në Paris, Kehl dhe Bologna nëpunësit mësuan nga afër rreth menaxhimit të shërbimit civil, politikave publike, reformat e administratës publike dhe çështjeve evropiane të administratave përkatëse, franceze, gjermane dhe italiane.
Vizita e parë studimore nisi në Paris, ku pjesëmarrësit vizituan Institutin Kombëtar të Shërbimit Publik Francez (INSP), ku u njohën me reformën në shërbimin civil, transformimin digjital, si dhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike franceze.
Gjatë kësaj vizite u ndanë dhe analiza krahasimore mes dy administratave përkatëse, franceze dhe asaj shqiptare.
Vizita e dytë studimore u zhvillua në Universitetin e Kehl në Gjermani, me studentë të nivelit master në “Administrim publik evropian”, ku nëpërmjet një sesioni informues u diskutua për kufijtë e Bashkimit Evropian dhe perspektiva për Shqipërinë.
Gjatë vizitës pjesëmarrësit u fokusuan dhe në aktivitete të lidhura me BE-në, shkëmbyen eksperiencat e tyre për “Bashkitë në BE”, si dhe u njohën me strategjinë digjitale të Bashkimit Evropian. Nëpunësit të shoqëruar dhe nga studentët HS Kehl zhvilluan një vizitë në ambientet e Parlamentit Evropian.
Vizita përmbyllëse u zhvillua në Bolonja të Italisë. Fokusi kryesor i vizitës ishte në:
- Menaxhimin e projekteve evropiane
- Inovacionin social dhe qeverisjen e brendshme
- Inovacionin dhe transformimin e hapësirës urbane
- Fushën e hartimit të politikave, kërkimit dhe marrëdhënieve me universitetet
- Politikat dhe qeverisjen e inovacionit digjital në administratën publike etj
Eksperienca e vyer e shkëmbimit të përvojave të punës gjatë këtyre vizitave studimore do të jenë për përfituesit, frymëzim dhe motivim për të përballuar me sukses sfidat e së ardhmes në proceset e integrimit që do të kalojë Shqipëria drejt rrugës së gjatë të Bashkimit Evropian.