Në datën 13 maj, në një ceremoni përmbyllëse në Tiranë, mirëpritëm 23 përfituesit e projektit “Qelizat e reja” pas një periudhe të gjatë të praktikave të punës dhe vizitave studimore në administratat publike të vendeve të Bashkimit Evropian: Francë, Gjermani, Itali dhe Kroaci.

Bashkë me delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë dhe institucionet partnere duartrokitëm eksperiencën e jashtëzakonshme të nëpunësve pjesëmarrës në projekt, jo vetëm nga institucione qendrore, të varësisë, por edhe nga niveli lokal si: Bashkia Tiranë, Korçë, Shkodër, Dibër, Durrës, Librazhd, Prefektura Vlorë etj.

Aktiviteti u përshëndet nga të ftuarit, të cilët theksuan njëzëri se forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve të nëpunësve të administratës publike është shumë i rëndësishëm në një kohë kur Shqipëria ka mbërritur në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësim, një fazë ku administrata publike kompetente, e pavarur dhe transparente është kyçe për suksesin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni u shpreh gjatë fjalës së saj përshëndetëse se, administrata publike synon të kthehet në alternativë tërheqëse punësimi për profesionistët e rinj brenda dhe jashtë vendit.

“Përpos sistemit aktual të pagave dhe incentivave financiare dhe jo financiare që jemi duke parashikuar, ne jemi të bindur se dhe iniciativa si “Qelizat e reja” plotësojnë kurorën e ofertës sonë institucionale për t’i dhënë një mundësi gjithsecilit që punon në administratën publike për t’u zhvilluar profesionalisht”- tha ministrja Pirdeni.

Departamenti i Administratës Publike e konsideroi gjithashtu projektin, një instrument të suksesshëm për rritjen e performancës, nxitjen e motivimit, energjizimin dhe qëndrueshmërinë e nëpunësve civilë në administratën publike shqiptare.

Gjatë aktivitetit, 23 përfituesit e projektit ndanë me të ftuarit entuziazmin e eksperiencës së tyre unike. 

Mirënjohje e veçantë për Delegacionin e BE-së si dhe të gjitha vendet dhe institucionet partnere, Institutin Kombëtar Francez të Shërbimit Publik, si dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Kehl të Gjermanisë, Universitetin e Bolonjës dhe rajonin e Emilia-Romanjas në Itali, si dhe Shkollën e Administratës Publike të Kroacisë dhe Greqisë.