Në kuadër të Javës së Administratës Publike, Ministria e Shtetit për Administratën Publike në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike dhe mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë organizoi në datën 28 maj Forumin e Burimeve Njerëzore. 

Në takimin ku morën pjesë Njësitë e Burimeve Njerëzore në nivel qendror dhe vendor u diskutua mbi fuqizimin e kapaciteteve të nëpunësve publikë, si dhe identifikimi i nevojave për trajnim. Të pranishmit në këtë aktivitet folën gjithashtu dhe për disa iniciativa konkrete digjitale që do të çojnë në një tjetër nivel të gjitha proceset e punës për burimet njerëzore në administratë.

Tërheqja e një kapitali njerëzor të ri dhe sa më cilësor, si dhe energjizimi i stafeve aktuale, janë veçanërisht të domosdoshme në kushtet e intensifikimit të mëtejshëm të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Në kuadër të kësaj jave, por edhe Javës së Qeverisjes së Hapur, në datën 30 maj u organizua Forumi i Inovacionit. Në qendër të diskutimeve ishin hapat e ndërmarra deri më tani nga administrata dhe sektori privat në Shqipëri për të përqafuar inovacionin në tregun e punës si instrument esencial në rritjen e efikasitetit, konkurrueshmërisë, por edhe transparencës.

Konceptuar si një platformë diskutimi, shkëmbim këndvështrimesh, eksperiencash dhe eksplorim i rrugëve të inovacionit në sektorin publik dhe privat, ekspertë të kësaj fushe ndanë në panele të ndryshme: Sfidat e inovacionit në punë, rolin që luan sektori publik dhe privat në promovimin e këtij procesi, hapat e marra deri tani në vendin tonë për inovacionin në tregun e punës për të rritur efikasitetin dhe përmirësuar përvojën e punës etj.

Forumi u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe në partneritet me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).