Në datë 15 tetor 2024, në Luksemburg, Shqipëria hapi grupkapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 1 "Themelorët" janë:

- Funksionimi i institucioneve demokratike

- Reforma e administratës publike

- Gjyqësori dhe të drejtat themelore

- Drejtësia, liria dhe siguria

- Kriteri ekonomik

- Prokurimi publik

- Statistikat  

- Kontrolli financiar

Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Enkela Dudushi, ishte pjesë e Delegacionit Shtetëror, kryesuar nga Kryeministri.

Administrata publike ka një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ku Reforma në Administratën Publike (RAP) është futur për herë të parë në procesin e negocimit si një kriter i veçantë, pjesë e Cluster I.

Pas çeljes së negociatave, kryeministri z. Edi Rama tha se, ky është një moment historik duke kurorëzuar përpjekjet e mëdha të deritanishme në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit.

Integrimi në familjen evropiane mbetet projekti strategjik më transformues i Shqipërisë.