Në 26 qershor Këshilli i Ministrave miratoi vendimet për rritjen e pagave në sektorin publik. Me miratimin e këtyre vendimeve avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, që ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.

Reforma e pagave u iniciua nga Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me partnerin ndërkombëtar SIGMA, duke organizuar konsultime të ndryshme, gjatë periudhës dhjetor 2021 - korrik 2022. Bazuar në rezultatet e procesit të konsultimit dhe vlerësimet politike të vitit 2022, u hartua plani për një program reformash dyvjeçare, duke përfshirë rritjen e pagave.

Pas reformës së pagave, një nga iniciativat e përfshira në Planin e Veprimit për Administratën Publike 2023-2030 është zhvillimi dhe zbatimi i programeve të posaçme për të tërhequr nëpunës civilë të kualifikuar. Këto programe do të zbatohen gradualisht, me objektiva të përcaktuara për vitet në vijim 2025 dhe 2027.