Në 19 qershor, ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, mori pjesë në aktivitetin dedikuar dialogut rajonal, organizuar nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike – ReSPA dhe Ministria për Transformimin e Shërbimit Publik të Republikës së Francës.
Takimi kishte në fokus modernizimin e shërbimit publik dhe shkëmbimin e përvojave për transformimin e administratës me qëllim përgatitjen për sfidat e procesit të anëtarësimit.
Ministrja Pirdeni gjatë fjalës së saj përshëndetëse tha se:- "Objektivi kryesor i strategjisë së Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke shtuar më tej se jemi të vetëdijshëm për nevojën për të forcuar kapacitetet e administratës publike si një domosdoshmëri për mirëqeverisjen dhe përmirësimin e standardeve në shërbimet publike".
Në aktivitetin e organizuar në Tiranë nga ReSPA morën pjesë 40 nëpunës të nivelit të ulët dhe mesëm drejtues nga vendet e Ballkanit Perëndimor.